Nga Alban Daci

Kam dëgjuar e vazhdoj të dëgjojë propozime nga me të ndryshme, disa konsiderohen përralla, disa janë puro mashtrime elektorale e politike e shumë të tjera shprehin qartë injorancën e politikës, që ka humbur realitetin me territorin dhe me fshatin.

Jo domosdoshmërisht duhet të jesh fshatar për të kuptuar problemet e fshatit sot dhe për të dhënë propozime efikase dhe reale për sfidat që ai has çdo ditë. Por, nëse ke qenë gjithmonë qytetar s’mund të qeverisesh ne emër të fshatarit.

Madje, me ndarjen e re territoriale, fshati është hequr si nocion, po ashtu po eliminohet fjala fshatar, e te gjithë tashmë mund konsiderohen “lumturisht” qytetarë. Sikur kishte një problem me fjalën fshatë e tashme, të gjithë jemi qytetar. Pra, këtë barrën e madhe të qenit fshatar sikur hoqëm me një vendim Parlamentar! Jo jo! Fshatari duhet të jetë fshatar e duhet të jetojë si i tillë!

Pra, me ndarjen e re territoriale pa frikë është bërë një racizëm dhe një përbuzje ndaj fshatit si model jetese, si njësi administrative apo edhe si koncept zhvillimi. Shoqërisë tonë nuk i shtohej si problem termi fshatar dhe terminologjia fshatar. Madje, mund të themi se shoqërisë dhe konceptit të zhvillimit i kishte munguar termi fshat, terminologjia fshatar dhe konceptet e tij të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

Me ndarjen e re administrative, qyteti administron, qeveris dhe kontrollon fshatin edhe pse normalisht fshati dhe qyteti duhet të jenë nocione autonome që bashkëpunojnë për zhvillimin kombëtar.

Në lidhje me sfidat dhe problemet që ka fshati, për mendimin tim ka me shume një problem optik se sa një angazhim serioz.

Çështjet dhe sfidat e fshatit nuk mund të veçohen nga sfidat, problemet dhe çështjet e zhvillimit kombëtar dhe anasjelltas.

Nuk mund të kemi një ekonomi të zhvilluar, të qëndrueshme, mirëqenie social dhe punësime pa kthyer vëmendjen nga sfidat dhe zhvillimi i fshatit.

Nuk mund të kemi zhvillim të turizmit pa pasur politika serioze të zhvillimit të fshatit.

Nuk mund të kemi një treg të suksesshëm dhe transporte konkurruese pa pasur politika serioze zhvillimi të fshatit.

Nuk mund të kemi një shëndet cilësor të qytetarëve, pa prodhime serioze e cilësore vendase.

Nuk mund të kemi integrim të Shqipërisë, pa fshatë me standarde dhe zhvillimin e nevojshëm.

Pra, kush mendon se fshati është një nocion në vete, veçues dhe përjashtues, do të thotë se nuk e ka seriozisht çështjen e zhvillimit të ekonomisë në nivel kombëtar.

Përtej problemeve të shumta që ka të trashëguara fshati, ndarja e re administrative i ka dhënë një goditje të rendë atij, sepse i ka hequr të drejtën për të qeverisur dhe administruar në mënyrë autonome dhe në konkurrencë të barabartë me shërbimet e qytetit.

Sot, me ndarjen e re administrative, kemi jo pak raste të bashkiakëve (qytetar) të importuar, të cilët s’kanë asnjë lidhje shpirtërore, familjare dhe historike me fshatin, por e qeverisin atë pa e pyetur dhe duke e imponuar.

Në kushtet aktuale, fermeri nuk ka të drejtë vendimmarrje jo vetëm ne nivel qendror, por tashme as në nivel lokal.

Fermeri është i shtypur, ai nuk ka aksione bashkëqeverisje në asnjë nivel, por vetëm u nënshtrohet rregullave diskriminuese, paragjykuese qe s’kanë asnjë lidhje me realitetin ku ai jeton dhe kërkon të investojë.

Fshatari në sensin a priori ishte promovuesi i ekonomisë në Shqipëri, sot ai është thjeshtë i përjashtuar, diskriminuar, i lënë në harresë e pa të drejtë vendimmarrje.

Pra, përpara se te flasim për nevojën e politikave zhvilluese të fshatit dhe fshatarit (fermerit), ne duhet të mendojmë seriozisht që atë ta bëjmë me të drejtë pjesë të bashkëqeverisjes dhe t’i japim atij personalitetin e merituar institucional dhe shoqëror.

Fshati në Shqipëri nuk përballet me fenomen sociale të natyrës që shqiptarët nuk e duan tokën, nuk duan ta punojnë e ju pëlqejnë të transferohen në qytet. Këto janë steriotipe dashakeqëse, por pa asnjë vërtete. Në fillim të viteve ’90, 60% e popullsisë jetonte në fshatë e shumica e tyre kishin krijuar ëndrrën e jetës në qytet e kjo vinte edhe për faktin se qyteti konsiderohej një mollë e ndaluar.

Hapja e emigracionit e të brendshëm dhe të jashtëm pas rënies së Regjimit, bëri që fshatari i rënë në qytet të ndjehej i robëruar dhe nostalgjik për lidhjen e tij të natyrshme me pronën private dhe me bagëtinë.

Gjithashtu, shume shqiptarë që emigruan jashtë vendit, panë një model tjetër të fshatit, atë më të zhvilluar dhe më të rehatshëm se metropolet e zhurmshme e plote bloze. Kështu, shqiptarët filluan përsëri të kthenin kokën nga fshati, toka dhe bagëtia.

Shqiptarët kanë një histori të lashtë e të ngushte me tokën. Është gënjeshtër dhe propagande ideja se shqiptarët nuk e punojnë tokën dhe nuk e duan fshatin, por kohërat kane ndryshuar dhe nuk është me ai fshatari që mjaftohet me prodhimin e fasules dhe të bukës së misrit.

Sot, fshatari kërkon me të drejtë të pasurohet, të bëj një jetë dinjitoze dhe të prodhojë e të shesë produktet e tij, por tregu është i ashpër, rregullat e lojës janë të padrejta dhe kushtet e fshatarit janë të mjerueshme.

Fshati sot përballet me mungesën totale të teknologjisë dhe të mjeteve moderne të punimit, mbjelljes dhe vjeljes. Shumica e fshatarëve janë në kushte mesjetare, sepse akoma e punojnë tokën me gomar, kalë, me shatë, kazmë, lopate dhe drapër. Nuk ka kredi të buta dhe lehtësira nga Shteti.

Nafta është e shtrenjtë dhe shumë fermerë nuk e përballojnë dot çmimin e punimit të tokës me mjete motorike.

Nuk ka kredi dhe investime nga Shteti në favor të fshatarit dhe fermerit. Fshatari shqiptar doli nga një sistem kolektive, pa trashëguar pasuri dhe ai është një i varfër i trashëguar që nuk mund të kthehet në një të pasur të suksesshëm.

Nuk ka asnjë politikë për promovimin dhe eksportimin e prodhimeve vendase. Nuk ka këshilla dhe asistencë nga strukturat shtetërore për të bërë të mundur tregtimin dhe eksportimin me sukses të prodhimeve vendase.

Ka një problem madhor për shkak të parcelizimit të tokës, në mijëra pronar të vegjël, të cilët pa koncepte bashkëkohore nuk janë në gjendje të jenë prodhues të suksesshëm dhe të ofrojnë prodhime cilësore.

Fshatari dhe fermeri, për shkak të kaluarës së kolektivizimit të pronës, ka fobi e frike ndaj çdo nisme për bashkimin e pronave. Shteti ka bërë shumë pak ose hiç për t’i sensibilizuar fshatarët për të bashkuar pronat dhe për të bërë politika të përbashkëta prodhimi e tregtimi.

Çfarë duhet të bej fermeri shqiptar në kushtet e prapambetjes që ndodhet dhe në erën e globalizimit? Fshatari shqiptar duhet të mendojë në mënyrë globale dhe të jetojë në kushtet lokale.

Fermeri shqiptar për shkak të sasisë të tokës që disponon dhe problemeve që has, nuk mund të konkurroje tregun mbi kriterin e sasisë, por duhet tu rikthehet farave tradicionale të territorit dhe prodhimit në sasi të vogla por me cilësi të lartë bio. Vetëm kështu mund të konkurrojë tregun, të promovojë veten dhe po ashtu edhe agriturizmin.

Sfidat e zgjedhjeve të ardhshme lokale nuk duhet të jetë si të administrojmë e zhvillojmë qytetin, por si të bashkëqeverisim me fshatin dhe ta promovojmë atë.